Bardhekaltrat një hap pranë titullit

  • Bardhekaltrat një hap pranë titullit
13 Maj 2015

Basketbollistet e Prishtinës të mërkurën mbrëma kanë shënuar fitore me rezultat 51:44 ndaj Trepcës nga Mitrovica në ndeshjen e parë finale të play-off-it në ETC Ligën e Femrave.

Ndeshja i pati dy pjesë të ndryshme. Në të parën dominuan nikoqiret, kurse në të dytën mysafiret. Mitrovicaset edhe pse në cerekun e parë dhe në të dytë nuk ia dolën që të shënojnë shumë pikë, këtë e rikuperuan në 20 minutat e fundit.

Ndërkaq prishtinaset kur pritej që në pjesën e dytë të luanin edhe më fortë për ta thelluar epërsinë, nuk ndodhi kjo dhe kështu pati momente kur edhe e rrezikuan fitoren. Megjithatë në fund falë përvojës në ndeshjet finale ia dolën të ruajnë gjakftohtësinë dhe të triumfojnë me 7 pikë dallim.

Ndeshja e dytë finale do të luhet të dielën në Vushtrri me fillim nga ora 18:00. Nëse Prishtina shënon fitore do të shpallet kampione për herë të 9-të që nga paslufta, kurse nëse pëson humbje, atëherë mbetet që gjithcka të zgjidhet në mesjavën e ardhshme në kryeqytet.