Basketbollistet mitrovicase në finalen e madhe

  • Basketbollistet mitrovicase në finalen e madhe
7 Maj 2015

Basketbollistet e Trepcës e kanë mposhtur edhe në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të “play-off”-it në ETC Ligën e Femrave skuadrën e Penzës nga Peja. Mitrovicaset sot kanë triumfuar në palestrën “Karagaci” me shifrat 49:32. Në duelin e parë të luajtur në fundjavën e kaluar në Vushtrri, gjithashtu fitore pati shënuar Trepca, por atëbotë me rezultat të ngushtë 58:56. 

Në këtë mënyrë skuadra nga Mitrovica është finalistja e parë në garat shtesë të ETC Ligës së Femrave.

Ndërkaq ndeshja e dytë e gjysmëfinales tjetër në elitën e basketbollit femëror, e luajtur të mërkurën mbrëma në Prizren ndërmjet Bashkimit dhe Prishtinës është ndërprerë në fund të cerekut të tretë, pas përleshjes së lojtareve ndërmjet veti dhe futjes së shikuesve në parket. Për këtë ndeshje pritet që së shpejti vendim të marr komesari i garave i FBK-së.

Në duelin e parë të zhvilluar ditë më parë në kryeqytet patën triumfuar basketbollistet bardhekaltra, të cilat i mposhtën prizrenaset me shifrat 80:57.