Bullgaria e mposhti Kosovën

  • Bullgaria e mposhti Kosovën
23 Janar 2016

Përfaqësueset e Kosovës të grupmoshës U16 në të dyja konkurrencat të premten kanë zhvilluar ndeshje miqësore me Bullgarinë U16 dhe në të dyja takimet kanë regjistruar humbje.

Përfaqësuesja U16 në konkurrencën e femrave është mposhtur nga Bullgaria me rezultat të thellë 101:33. Për basketbollistet e reja kosovare kjo ishte ndeshja e parë në nivel ndërkombëtar dhe rezultati është pasqyrë reale e forcave të dëshmuara në parket. Në anën tjetër basketbollistet bullgare janë pjesë e Divizionit B të Kampionatit Evropian të kësaj grupmoshe dhe kjo më së miri e tregon dallimin në cilësi ndërmjet këtyre dy skuadrave. Kosova U16 në konkurrencën e femrave sivjet për herë të parë do të bëj gara në nivel të Kampionatit Evropian, ku gjatë kësaj vere do të marr pjesë në Divizionin C, Grupi A së bashku me Uellsin dhe Maltën.

Ndërkaq në konkurrencën e meshkujve Kosova U16 ka pësuar disfatë nga Bullgaria me shifrat 68:48. Basketbollistët kosovarë treguan angazhim të madh në fushë, por në anën tjetër bullgarët ishin më të mirë dhe kështu në fund me meritë edhe triumfuan. Kosova U16 sivjet do të bëj gara në Divizionin B, Grupin C së bashku me Norvegjinë, Slloveninë, Rumaninë, Austrinë dhe Ukrainën, kurse Bullgaria bën gara po ashtu në Divizion B, por në Grupin D me Sllovakinë, Gjeorgjinë, Republikën Ceke, Islandën dhe Belgjikën. Duhet theksuar se Kosova U16 në të dyja konkurrencat të shtunën me fillim nga ora 10:00 dhe nga ora 12:00 do të luaj ndeshjet e dyta miqësore me Bullgarinë U16. Ndeshjet do të zhvillohen në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.