Derbi më i madh në Kosovë pritet të dhurojë spektakël

  • Derbi më i madh në Kosovë pritet të dhurojë spektakël
4 Dhjetor 2015

Ndeshja e mbetur e xhiros së XI-të në Superligën e Kosovës në basketboll ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 19:30 në palestrën “Karagaçi”.

Ky takim ishte shtyrë për një javë me marrëveshje ndërmjet të dyja skuadrave pasi bardhekaltrit të martën që e lamë pas janë përballur me AEK Larnaca-n nga Qipro në kuadër të xhiros së gjashtë të Grupit K në FIBA Europe Cup. Ky ballafaqim rezultoi të jetë i fundit për kryeqytetasit në garat evropiane pasi ata u eliminuan pikërisht në këtë ndeshje duke pësuar humbje para shikuesve të vet. Sidoqoftë Prishtina tashmë është e përqendruar maksimalisht në garat vendore dhe në Ligën Ballkanike (BIBL), aty ku edhe synon t’i mbrojë trofetë e fituar një edicion më parë.

Në duelin e parë të luajtur në kryeqytet në mes Sigal Prishtinës dhe Pejës fitore ka regjistruar kjo e fundit me rezultat 68:65, por atëbotë bardhekaltrit janë arsyetuar me faktin se kanë qenë të fokusuar tërësisht në garat në FIBA Europe Cup.

Branimir Paviq, trajner i Pejës: "Kjo është ndeshja e tretë këtë edicion kundër Sigal Prishtinës dhe secila përballje me ta deri më tani ka qenë shumë e fortë dhe ka dhuruar spektakël. Është derbi më i madh në Kosovë dhe këtu gjithçka mund të ndodhë, pasi nuk është mirë të prognozohet rezultati. Pres të luftojmë deri në fund dhe pastaj të shohim se çka do të ndodhë. Mbi të gjitha, dua që skuadra ime të këtë një paraqitje të mirë dhe të reagoj për shkak se Prishtina ka një ekip të fortë që ka luajtur në FIBA Europe Cup. Megjithatë ne kemi dëshmuar se meritojmë respekt dhe do të luftojmë për fitore".

Edmond Azemi, kapiten i Sigal Prishtinës: “Është një ndeshje e fortë, si gjithmonë mes këtyre ekipeve. Ne kemi telashe me lëndime të cilat kanë ardhur më shumë si pasojë e ndeshjeve të shumta e të forta. Besoj se do të riparohen këto lëndime dhe do të jemi të gatshëm për ndeshje. Jemi të vetëdijshëm se Peja ka kualitet sidomos i ka 6-7 lojtarë të klasit të lartë, por në anën tjetër ne e kemi bankën rezervë më të fortë. Nëse angazhohemi do të mposhtim Pejën”.