Edhe një tjetër çmim për Dardan Berishën

  • Edhe një tjetër çmim për Dardan Berishën
6 Maj 2015

Pas shpalljes MVP i Ligës Ballkanike (BIBL) nga drejtuesit e kësaj lige, basketbollisti më i mirë në vendin tonë, Dardan Berisha e ka fituar edhe një tjetër çmim personal. Kësaj radhe fundori i Sigal Prishtinës është shpallur lojtari i vitit në BIBL nga Eurobasket.com.

Krahas këtij epiteti Berisha nga ky uebsajt është shpallur edhe lojtari më i mirë evropian, si dhe fundori më i mirë në BIBL. Ai e ka gjetur veten edhe në pesëshen e parë të Ligës Ballkanike për edicionin 2014/15 së bashku me bashkëlojtarin e tij, Edin Bavçiç. Ndërkaq qendra boshnjake është shpallur MVP i “Final Four”-it të BIBL, si dhe më i miri në pozitën e tij, derisa ka zënë vend edhe në pesëshen e parë të kësaj lige. Plejmejkeri i bardhekaltërve, Jordan Hulls e ka fituar epitetin e lojtarit të huaj më të mirë të vitit, kurse ka zënë vend edhe në pesëshen e dytë të Ligës Ballkanike.

Basketbollisti më i mirë kosovar dhe ndër më të merituarit për suksesin e Prishtinës në BIBL, Dardan Berisha është shprehur i lumtur me këtë shpërblim: “Sigurisht se jam shumë i kënaqur. Ky çmim vjen si rezultat i punës së ekipit, punës time personale dhe jam shumë i lumtur që po më shpërblehet i gjithë mundi, duke marr parasysh faktin se gjatë këtij rrugëtimi kam hasur në vështirësi të shumta, presioni për të treguar më të mirën, pastaj lëndimet, e gjëra të tilla. Por unë jam i lumtur që ia dola së bashku me ekipin tim. Suksesi në Ligën Ballkanike është gjëja më e mirë që më ka ndodhur në karrierën time si basketbollist. Unë premtoj se do të vazhdoj të jap maksimumin edhe në pjesën e mbetur të edicionit në garat vendore për ta përmbyllur këtë vit në mënyrën më të mirë të mundshme, pra duke u stolisur me titullin e kampionit”.

Duhet theksuar se një javë më parë Sigal Prishtina e ka shkruar historinë në garat ekipore në vendin tonë, duke u stolisur me titullin e kampionit në Ligën Ballkanike dhe tre lojtarët e lartpërmendur Berisha, Bavçiç e Hulls padyshim se ishin ndër më të merituarit për këtë trofe.