Fitore e Prishtinës në start të serisë finale

  • Fitore e Prishtinës në start të serisë finale
11 Maj 2015

Sigal Prishtina e ka nisur me fitore serinë finale të “play-off”-it në ETC Superligën e Kosovës, duke e mposhtur Pejën me shifrat 92:73 (30:14, 23:29, 23:17, 16:13), në ndeshjen e luajtur të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet.

Nikoqirët prej fillimit e deri në fund të takimit ishin ata që dominuan me lojë dhe kështu pa ndonjë vështirësi të madhe ia dolën të krijojnë epërsi në serinë finale. Bardhekaltrit e bënë këtë edhe në mungesë të lojtarit të tyre më të mirë, Dardan Berishës, i cili për shkak të një virusi në stomak nuk u paraqit fare në parket, ndonëse ishte në përbërjen e skuadrës. Sidoqoftë mungesën e 11-shes së Prishtinës arritën ta kompensojnë bashkëlojtarët e tij, të cilët iu qasën ndeshjes me seriozitetin më të madh që nga minuta e parë e deri te ajo e fundit dhe me meritë ia dolën të triumfojnë në ballafaqim me rivalët e tyre të përbetuar, pejanët. Këta të fundit nuk ishin në nivelin në të cilin jemi mësuar t’i shohim. Sidoqoftë kjo është vetëm ndeshja e parë finale dhe ka ende shumë për t’u luajtur në këtë seri të garave shtesë.

Sistemi i serisë finale në këtë edicion është 1-1-1-1-1, ku përparësinë e terrenit vendas e ka Prishtina, pasi që ka përfunduar në vendin e parë në renditjen tabelare gjatë edicionit të rregullt dhe seria në çdo lojë do të bartet në palestrën e ekipit tjetër, e fitues i titullit do të shpallet skuadra që arrin 3 fitore nga 5 ndeshje të mundshme.

Më të dalluarit te Prishtina ishin Bojan Trajkovski me 22 pikë, Edmond Azemi me 18, Blerim Mazreku me 17 dhe Jordan Hulls me 15 pikë.

Te Peja më efikasit ishin Janou Rubin me 23 pikë dhe Drilon Hajrizi me 17 sosh.

Marjan Ilievski, trajner i Prishtinës: “Pas dy humbjeve që na i ka shkaktuar Peja, ne i kemi analizuar në detaje ato dy ndeshje dhe jemi munduar maksimalisht të përmirësohemi aty ku nuk kemi funksionuar ashtu si duhet. Në këtë duel treguam se kemi pasur sukses në këtë drejtim. Luajtëm mirë në mbrojtje, kurse në sulm i shfrytëzuam mjaft mirë lojtarët tanë shtatlartë, të cilët e bënë diferencën në këtë ndeshje. Tani kemi epërsi prej 1:0 në seri, është më lehtë për ne, megjithatë ne nuk do të vetëkënaqemi, por do të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e dytë në ‘Karagaçi”.

Boris Kurtoviç, trajner i Pejës: “E nisëm keq ndeshjen dhe më pas nuk ia dolëm të rikuperojmë. Mirëpo ne nuk jemi të zhgënjyer, sepse ka ende shumë për t’u luajtur. Nuk ishim në nivelin e duhur në mbrojtje, ndërsa në sulm nuk patëm durim të mjaftueshëm. Po ashtu nuk patëm zgjidhje për lojën e mirë të lojtarëve të tyre shtatlartë. Megjithatë që nga dita e hënë ne do të fillojmë të punojmë në eliminimin e gabimeve që i bëmë në këtë ndeshje dhe të jemi të gatshëm për takimin e dytë në Pejë”.