Ilievski ndahet me Sigal Prishtinën

  • Ilievski ndahet me Sigal Prishtinën
7 Dhjetor 2015

Të hënën në një konferencë për media, Marjan Ilievski ka njoftuar se në marrëveshje me drejtuesit e Sigal Prishtinës ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me këtë skuadër pas një periudhe pothuajse njëvjeçare. Ilievski në edicionin paraprak me bardhekaltrit e ka fituar titullin e kampionit të Kosovës dhe titullin në Ligën Ballkanike (BIBL). Megjithatë në këtë edicion gjërat nuk ecën ashtu siç deshën të gjithë në Prishtinë, pasi së pari e humbën Superkupën e Kosovës, më pas dy herë pësuan disfatë nga Peja në Superligë, si dhe u eliminuan në fazën e parë të FIBA Europe Cup, në të cilën garë për herë të parë debutoi një skuadër kosovare, derisa e kanë regjistruar edhe një humbje në BIBL, nga Mornar-i i Malit të Zi.

“Gjithmonë në punën e trajnerit vjen momenti kur duhet të largohet nga kubi. Ky moment ka ardhur për mua dhe dua t’i falënderoj të gjithë për përkrahjen dhe mundësinë që më kanë dhënë në Ligën Ballkanike dhe me pjesëmarrjen në FIBA Europe Cup. Për FIBA Europe Cup nuk pajtohem se kishim rezultate të dobëta për shkak se ky ishte edicioni i parë ku krahas mungesës së përvojës kishim edhe buxhetin më të vogël në mesin e katër skuadrave të Grupit K, por edhe rosterin e lojtarëve nuk e patëm ashtu siç kemi dëshiruar, apo jo ashtu siç e kemi paramenduar. Unë sot po kthehem në situatën e para një viti kur erdha në klub dhe shpresoj se ky ndërrim të reflektoj pozitivisht sikur me ardhjen time kur erdhën rezultatet dhe klubi u shndërrua në një familje. Më vjen mirë që isha pjesë e skuadrës në momentet më të mira që janë edhe më të mirat në karrierën time si trajner. Të gjithë ishin korrekt me mua dhe më bënë të ndihem si në shtëpinë time. Falënderoj edhe publikun në veçanti ‘Plisat’ që më kanë përkrahur gjithmonë. Klubit i dëshiroj suksese në të ardhmen”, ka deklaruar Ilievski.

Krahas Ilievski-t nga Prishtina së fundi është larguar edhe plejmejkeri amerikan Khalid El-Amin.