Kryendeshja në Prizren

  • Kryendeshja në Prizren
  • Kryendeshja në Prizren
23 Janar 2016

Kryendeshja e xhiros së XVI në Superligën e Kosovës në basketboll do të zhvillohet të shtunën nga ora 19:00 në palestrën e sportit “Sezai Surroi” në Prizren ndërmjet Bashkimit dhe Pejës. Ndeshjet ndërmjet këtyre dy skuadrave kanë zgjuar interesim të madh sa herë janë zhvilluar dhe kështu pritet edhe sonte. Peja ndodhet në vendin e parë me 26 pikë, ku nga 13 ndeshje ka shënuar po aq fitore dhe është skuadra e vetme pa humbje në elitë, derisa Bashkimi nga 13 takime të luajtura ka nëntë fitore dhe katër humbje.

Prizrenasit ia kanë shkaktuar humbjen e vetme  (82:73) këtë edicion Pejës dhe kjo ka ndodhur në xhiron e parë të Grupit B në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL), andaj edhe ballafaqimi i sotëm pritet të jetë shumë interesant.

Te Bashkimi do të debutojë amerikani Griffin Ramme, kurse te Peja  Nicholas Covington.

Petar Mijoviq, trajner i Bashkimit: "Pres një ndeshje jashtëzakonisht të fortë. Ne jemi ekipi i vetëm këtë edicion që e ka mposhtur Pejën dhe kjo flet më së miri si për cilësinë e tyre ashtu edhe tonën. Të dyja ekipet janë në seri fantastike të fitoreve dhe kjo jep një garanci se do të jetë një ndeshje shumë interesante. Peja nuk ka shumë pika të dobëta. Nëse ia dalim mban të ndalim me sukses kundërsulmet e tyre dhe gjuajtjet për tri pikë, atëherë kemi rastin të luajmë një ndeshje të hapur dhe të fitojmë".

Branimir Paviq, trajner i Pejës: "Është një derbi, pasi Bashkimi është një ekip i papërshtatshëm, por ne me lojë të mirë do të mundohemi të shënojmë fitore. do të ishte shumë me rëndësi për ekipin tonë. Këtë edicion kemi luajtur katër herë ndaj Bashkimit dhe prej dy ndeshjeve në Prizren e kemi realizuar një fitore".

Ndërkaq në kuadër të xhiros së XVI, Sigal Prishtina e ka mposhtur Trepçën të premten mbrëma me rezultat 87:48, kurse të dielën me fillim nga ora 14:00 në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, Kerasan Prishtina është nikoqire e Vllaznimit.