basketbolli

Ministri Shala përkahë FBK-në në arenën ndërkombëtare

  • Ministri Shala përkahë FBK-në në arenën ndërkombëtare
  • Ministri Shala përkahë FBK-në në arenën ndërkombëtare
  • Ministri Shala përkahë FBK-në në arenën ndërkombëtare
17 Mars 2015

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Shala ka pritur një delegacion të Federatës së Basketbollit të Kosovës të udhëhequr nga Kryetari Erolld Belegu.

Ministri Shala uroi FBK-në për pranim në FIBA duke e cilësuar këtë ngjarje si lajmin më të mirë për Kosovën që nga pranimi i Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Ministri Shala përgëzoi Kryetarin Belegu dhe premtoi përkrahje për FBK-në në paraqitjet dhe organizimet me karakter ndërkombëtar.

Nga ana e tij Kryetari i FBK-së Erolld Belegu i paraqiti katër kërkesa kryesore me karakter strategjik për FBK-në – përkrahjen e Qendrës për Performancë të Lartë, që do të fillojë punën këtë muaj, përkrahjen politike për Ligjin për Sponsorizim që aktualisht është në fazën e diskutimit publik dhe zëri i federatave dhe klubeve duhet të jetë më i fuqishëm në këto diskutime, ndërtimin e një palestre të sporteve të standardeve evropiane për gara dhe ndeshje ndërkombëtare dhe ndërtimin e palestrave më të vogla të sporteve në komuna të ndryshme, posaçërisht në qendrat e mëdha.

Ministri Shala premtoi përkrahje të plotë të projektit për Qendrën për Performancë të Lartë dhe paraqitjen e kategorive të reja në garat evropiane. Lidhur me infrastrukturën sportive, Ministri Shala pohoi se deri në fund të mandatit pret që të ndërtohen edhe shumë palestra të vogla multi funksionale ndërkohë tashmë ka filluar bisedat me Komunën e Prishtinës për caktimin e lokacionit për ndërtimin e një palestre me norma ndërkombëtare.

FBK është në pritje të konfirmimit se me cilat grupmosha mund të marrë sivjet në kampionatet evropiane për gjenerata të reja në basketboll që zhvillohen verës dhe do të shënojnë përfaqësimin e parë zyrtar të Kosovës në nivel reprezentacionesh.