Ministri Shala premton përkrahje për kualifikime

  • Ministri Shala premton përkrahje për kualifikime
  • Ministri Shala premton përkrahje për kualifikime
26 Janar 2016


Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Shala së bashku me zëvendësdrejtoreshën e Departamentit të Sporteve të Kosovës (DSK), Afërdita Fazlija sot e kanë vizituar Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), ku janë pritur nga kryetari Erolld Belegu, sekretari i përgjithshëm, Leart Hoxha dhe anëtarët e Bordit, Valton Bilalli e Arben Fetahu.

Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi i ministrit Shala nga krerët e FBK-së për më të rejat në basketbollin kosovar e që kanë të bëjnë me fillimin e përgatitjeve të Përfaqësueses A të Kosovës për kualifikimet për Kampionatin Evropian, por edhe për thellimin e bashkëpunimit në mes MKRS-së dhe FBK-së, si dhe për ndihmën që pritet Qeveria t’i ofrojë basketbollit kosovar në sfidat që e presin këtë vit në arenën ndërkombëtare.

Pas takimit para mediave në sallën e konferencave në FBK janë deklaruar ministri Shala dhe kryetari Belegu.

Erolld Belegu, kryetar i FBK-së: "Federata e Basketbollit e Kosovës e falënderon ministrin dhe ekipin e tij për gatishmërinë për të na përkrahur në sfidat e mëdha që na presin këtë vit. FBK i ka tri kërkesa bazë: 1. Vazhdimi i Memorandumit të Bashkëpunimit dhe rritja e shumës duke marr parasysh faktin se sivjet do të paraqitemi me 6 Përfaqësuese në gara të FIBA-s; 2. Sigurimi i 1 apo 2 palestrave për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian, por edhe për disa ndeshje miqësore që do t'i zhvillojmë para fillimit të kualifikimeve; 3. Ndihma nga shteti në aspektin ligjor të përgatitjeve të dokumentacionit të basketbollistëve kosovarë që do të luajnë për Përfaqësuesen. Ne kemi shumë nevojë për lehtësime në këtë drejtim, sepse bëhet fjalë për interes nacional dhe është më se normale që të jemi më fleksibil në këtë pikë. Takimi ishte mjaft i frytshëm, ministri ka treguar gatishmëri të plotë për të na ndihmuar së bashku me ekipin e tij. Po ashtu sa i përket palestrave ne biseduam për 1 por ministri na premtoi se do të fillohet puna në 2 prej tyre në mënyrë që të përmbushim të gjitha standardet e kërkuara nga FIBA".

Kujtim Shala, ministër i MKRS-së: "Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me kryetarin dhe me federatën në përgjithësi. Ne si MKRS do të bëjmë të pamundurën që ta ndihmojmë FBK-në sa më shumë në të gjitha aspektet sa i përket përgatitjeve për kualifikimet për Kampionatin Evropian, por edhe për pjesëmarrje me Përfaqësueset e të rinjve në garat zyrtare të FIBA-s. Vitin e kaluar e kemi nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit, gjë që ka qenë lehtësim për të gjitha federatat, ndërsa ne tash si MKRS jemi në proces të evaluimit të Memorandumeve dhe nëse vlerësojmë se ka qenë i suksesshëm, atëherë do të vazhdojmë edhe këtë vit gjë që besoj se do të ndodh. Federata i ka treguar prioritetet e saj në aspektin e infrastrukturës dhe të financiar, kurse ne tash si shtet do të shikojmë mundësinë për t'i përmbushur ato. Gjatë këtij viti do të investohet në 4 apo 5 palestra, kurse edhe vitin e ardhshëm në po aq të tjera me standarde të kërkueshme për gara zyrtare ndërkombëtare. Do të shikohet të fillohet puna në palestrat në Prishtinë dhe Pejë në mënyrë që kualifikimet ta gjejnë federatën të përgatitur maksimalisht. Së pari do të shikohet buxheti i MKRS-së dhe më pas do të veprohet. Ndërkaq sa i përket ndihmës në aspektin ligjor të përgatitjes së dokumenteve për basketbollistët kosovarë që dëshirojnë të luajnë për Kosovën unë në cilësinë e zëvendëskryeministrit qysh nga nesër do ta angazhojë një zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme në mënyrë që federata të mos has në vështirësi".

Drejtuesit e FBK-së në fund e falënderuan ministrin Shala dhe ekipin e tij për gadishmërinë e treguar që për federatën do të thotë shumë duke marr parasysh punën e madhe që e pret këtë vit, por që me një ndihmë të tillë gjithcka duket më lehtë për FBK-në.