Parashikohet ndeshje e fortë dhe e vështirë

  • Parashikohet ndeshje e fortë dhe e vështirë
13 Maj 2015

Ballafaqimi i dytë i finales së madhe të “play-off”-it në ETC Superligën e Kosovës në mes Pejës dhe Sigal Prishtinës do të luhet të enjten me fillim nga ora 19:30 në palestrën e sporteve “Karagaçi”.

Prishtina udhëheq me seri 1:0 pasi të dielën e kaluar ka shënuar fitore në duelin e parë ndërmjet këtyre dy skuadrave që është zhvilluar në kryeqytet. Takimi pati përfunduar me shifrat 92:73(30:14, 23:29, 23:17, 16:13) në të mirë të ekipit nikoqir.

Bardhekaltrit në ndeshjen e parë kanë triumfuar edhe në mungesë të lojtarit të tyre më të mirë, Dardan Berishës, i cili për shkak të një virusi në stomak nuk u paraqit fare në parket ndonëse ishte në përbërjen e skuadrës.

Sistemi i serisë finale në këtë edicion është 1-1-1-1-1, ku përparësinë e terrenitvendas e ka Prishtina, pasi që ka përfunduar në vendin e parë në renditjen tabelare gjatë edicionit të rregullt dhe seria në çdo lojë do të bartet në palestrën e ekipit tjetër, e fitues i titullit do të shpallet skuadra që arrin 3 fitore nga 5 ndeshje të mundshme.

Alban Veseli, fundor i Pejës: “Besoj se do të paraqitemi më mirë sesa në Prishtinë, duke u bazuar në faktin se në ndeshjen e parë asgjë nuk na ka shkuar për dore. Natyrisht presim ndihmë të madhe nga tifozët tanë të flaktë ‘Shqiponjat’ që asnjëherë në këtë edicion nuk na kanë lënë vetëm. Jemi të mobilizuar për të dhënë një shfaqje të mirë. Luajmë në shtëpinë tonë dhe kjo na motivon shumë. Jemi të kompletuar dhe kjo është një arsye e mirë për të besuar në triumf”.

Blerim Mazreku, qendra e Prishtinës: “Është finalja e dytë, andaj edhe është një ndeshje e vështirë. Jemi në epërsi në seri të fitoreve. Jemi të përgatitur maksimalisht dhe shkojmë në Pejë për të shënuar fitoren e dytë radhazi. Forca e Prishtinës është loja kolektive dhe kualiteti i lojtarëve. Do të hyjmë në fushë që të japim maksimumin dhe të vazhdojmë me seri të fitoreve në finale”.

Duhet theksuar se kampione në fuqi është Sigal Prishtina, e cila javë më parë është stolisur edhe me titullin e kampionit në Ligën Ballkanike (BIBL), ndërsa Peja është fituese e Ipko Kupës së Kosovës për edicionin 2014/15.