Peja barazohet me Sigal Prishtinën

  • Peja barazohet me Sigal Prishtinën
14 Maj 2015

Peja ka shënuar fitore me rezultat 80:72 kundër Sigal Prishtinës në ndeshjen e dytë finale të play-off-it në ETC Superligën e Kosovës. Në këtë mënyrë rezultati në serinë finale tani është 1:1, që do të thotë se verdhezinjtë janë barazuar me bardhekaltrit, pasi që këta të fundit kanë triumfuar në duelin e parë të luajtur ditë më parë në kryeqytet.

Nikoqirët e kanë nisur furishëm takimin dhe këtë më së miri e dëshmon rezultati në 10 minutat e para, i cili në semafor shënonte 31:07. Ndonëse në tre cerekët e tjerë mysafirët ishin më efikas, kjo nuk mjaftoi pasi epërsia e krijuar në cerekun e parë nga pejanët e bëri të veten dhe kështu prishtinasit u desh që të enjten mbrëma të largohen me kokë të ulur nga “Karagaci”.

Më i merituari për triumfin e Pejës ishte plejmejkeri Nice Wise, i cili e ka përmbyllur ndeshjen me 24 pikë, kurse ai ndihmë të madhe ka pasur nga Janou Rubin që ka kontribuar me 16 dhe Jozo Brkic me 14, derisa Alban Veseli e Drilon Hajrizi kanë shtuar secili nga 11 pikë.

Te Sigal Prishtina më efikasit ishin Bojan Trajkovski me 23 pikë, Dardan Berisha me 16 dhe Jordan Hulls me 11 pikë.

Ndeshja e tretë finale e garave shtesë në elitën e basketbollit kosovar do të zhvillohet të hënën në Prishtinë me fillim nga ora 20:00.

Sistemi i serisë finale në këtë edicion është 1-1-1-1-1, ku përparësinë e terrenit vendas e ka Sigal Prishtina, pasi që ka përfunduar në vendin e parë në renditjen tabelare gjatë edicionit të rregullt dhe seria në çdo lojë do të bartet në palestrën e ekipit tjetër, e fitues i titullit do të shpallet skuadra që arrin 3 fitore nga 5 ndeshje të mundshme.

Peja-Sigal Prishtina 80:72 (31:07, 15:22, 14:17, 20:26)

Palestra e Sportit "Karagaçi" në Pejë.

Shikues: rreth 1300.

Gjyqtarë: E. Kartal, F. Kurshumliu, Xh. Mumini.

Peja: Rubin 16, Veseli 11, Wise 24, Hajrizi 11, Brkiç 14, Beqiri, Radoni, Rugova 4, Grapci, Hajdari, Muriq, Kadusha.

Sigal Prishtina: Azemi 4, Hulls 11, Bavcic 7, Mavunga 2, Mazreku 10, Mekaj 2, Sadiku, Jakupi, Berisha 13, Trajkovski 23, Bajrami.