Peja finalistja e parë e "play-off"-it të ETC Superligës së Kosovës

  • Peja finalistja e parë e "play-off"-it të ETC Superligës së Kosovës
28 Prill 2015

Peja sot në “Karagaci” e ka mposhtur Kosova e Re Bashkimin me shifrat 94:77 në ndeshjen e katërt gjysmëfinale të “play-off”-it në ETC Superligën e Kosovës në basketboll dhe kështu e ka siguruar plasmanin në finalen e madhe pas rezultatit në seri 3:1.

Më efikasi te skuadra pejane ishte Alban Veseli me 19 pikë, kurse te ajo prizrenase më së shumti pikë ka realizuar Mark Dawson, gjithsej 24 sosh.

Në ndeshjen e parë të luajtur në Pejë patën triumfuar vendasit me shifrat 109:81, kurse në takimin e dytë të zhvilluar në palestrën “Sezai Surroi” fitore kanë regjistruar portokallinjtë me rezultat 85:80, ndërsa më pas Peja e ka kthyer avantazhin në seri pasi që ka triumfuar kundër Bashkimit  sërish në Prizren me shifrat 94:58 dhe sot i ka dhënë fund dilemës së finalistit në ndeshjen e luajtur para shikuesve të vet me rezultat 94:77.

Duhet theksuar se verdhezinjtë në këtë edicion janë stolisur me një trofe, atë të Ipko Kupës së Kosovës, pasi në finalen e luajtur në Therandë e kanë mposhtur rivalin e përbetuar, Sigal Prishtinën.

Çifti tjetër i gjysmëfinales së ETC Superligës përbëhet nga Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli. Bardhekaltrit avancojnë ndaj therandasve me rezultat 1:0 në seri, ndërsa duelet e tyre janë shtyrë për t’u zhvilluar më vonë për shkak se Prishtina është përgatitur për ndeshjen e dytë finale të Ligës Ballkanike (BIBL).