basketbolli

Peja fituese e Salamander Superkupës së Kosovës

  • Peja fituese e Salamander Superkupës së Kosovës
  • Peja fituese e Salamander Superkupës së Kosovës
27 Shtator 2015

Peja është fituese e Salamander Superkupës së Kosovës pasi të shtunën mbrëma në palestrën e sporteve “Karagaci”e ka mposhtur Sigal Prishtinën me rezultat 76:71.

Për të dyja skuadrat kjo ishte ndeshja e parë që nga përfundimi i edicionit 2014/15, kurse ishte dueli që edhe i paraprinë edicionit të ri në elitën e basketbollit kosovar.

Peja është fituese e Kupës së Kosovës për edicionin paraprak, kurse Prishtina është kampione në fuqi e Superligës së Kosovës.

Takimi i luajtur në prani të rreth 3000 shikuesve ishte mjaft interesant prej fillimit e deri në fund, ndërsa çereku i tretë ishte vendimtar për skuadrën nikoqire, e cila ia doli ta marr kryesimin dhe më pas ta ruaj atë deri në fund.

Në fakt pas 20 minutave të para ishte Prishtina ajo që udhëhiqte në rezultat me 3 pikë epërsi 33:30, por më pas Peja me një mbrojtje të mirë dhe me efikasitet të lartë në sulm ia doli që të krijojë 7 pikë avantazh, të cilin arriti ta menaxhojë mjaft mirë deri në përfundim të ndeshjes, ndonëse mysafirët nga kryeqyteti bënë rezistencë deri në çastet e fundit.

Më efikasi te Peja ishte Nenad Delic me 24 pikë, kurse Kevin Burwel ka shtuar 20 pikë, derisa Drilon Hajrizi dhe  Roland Davis e kanë përmbyllur duelin me nga 10 pikë secili.

Te Prishtina më të dalluarit ishin Stanimir Marinov me 21 pikë, 6 kërcime e 6 asistime dhe Mohamed Abukar me 15 pikë.

Elvis Beqiri, përfaqësues i EB Group Salamander dhe Erolld Belegu, kryetar i FBK-së e ndanë Superkupën për skuadrën fituese, Pejën, të cilën ia dorëzuan kapitenit pejan, Rron Grapcit, kurse medaljet i ndanë Beqiri, Belegu dhe anëtari i Bordit të FBK-së, Arben Fetahu.