Peja – Kosova e Re Bashkimi të martën në “Karagaçi”

  • Peja – Kosova e Re Bashkimi të martën në “Karagaçi”
26 Prill 2015

Ndeshja e katërt gjysmëfinale e “play-off”-it në ETC Superligën e Kosovës në basketboll ndërmjet Pejës dhe Kosova e Re Bashkimit do të zhvillohet të martën (28 prill) duke filluar nga ora 19:30 në palestrën e sporteve “Karagaçi”.

Rezultati në seri të gjysmëfinaleve të garave shtesë në mes këtyre dy skuadrave është 2:1 në të mirë të verdhezinjve, të cilëve iu nevojitet vetëm edhe një fitore për t’u plasuar në finalen e madhe. 

Në ndeshjen e parë të luajtur në fundjavën e kaluar në Pejë patën triumfuar vendasit me shifrat 109:81, kurse në takimin e dytë të zhvilluar në këtë mesjavë në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren fitore kanë regjistruar portokallinjtë me rezultat 85:80, ndërsa të shtunën Peja e ka kthyer sërish avantazhin në seri pasi që ka triumfuar kundër Kosova e Re Bashkimit me shifrat 94:58. 

Çifti tjetër i gjysmëfinales së ETC Superligës përbëhet nga Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli. Bardhekaltrit avancojnë ndaj therandasve me rezultat 1:0 në seri, ndërsa duelet e tyre janë shtyrë për t’u zhvilluar më vonë për shkak se Prishtina është duke u përgatitur për ndeshjen e dytë finale të Ligës Ballkanike (BIBL).