basketbolli

Peja në Cetinje për suksesin e radhës në Ligën Ballkanike

  •  Peja në Cetinje për suksesin e radhës në Ligën Ballkanike
17 Nëntor 2015

Peja të mërkurën me fillim nga ora 18:00 është mysafire e Lovcen Basket-it në Cetinje të Malit të Zi në kuadër të xhiros së pestë të Grupit B të Sigal Uniqa Ligës Ballkanike (BIBL).

Pejanët kanë bilanc prej 2 fitore e 1 humbje, derisa Lovcen-i ka regjistruar 3 disfata në edicionin e deritashëm të BIBL. Verdhezinjtë janë në formë të mirë pas disa fitoreve radhazi të shënuara si në garat vendore ashtu edhe në Ligën Ballkanike, andaj në Cetinje do të kërkojnë triumfin e radhës, i cili do t’ua forconte shpresat për fazën tjetër në BIBL.

Alban Veseli, basketbollist i Pejës: "Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e takimit dhe për këtë arsye do të luajmë fortë dhe të përqendruar maksimalisht nga minuta e parë e deri te ajo e fundit. Do të aplikojmë lojën tonë, do të angazhohemi maksimalisht dhe nuk do t'u japim rast vendasve që të na sfidojnë. Lovcen-i nuk e ka regjistruar asnjë fitore deri më tani, kurse ne nuk guxojmë ta nënçmojmë për asnjë çast, sepse ata nuk kanë më çfarë të humbasin. Luajmë si mysafir, por besoj fuqishëm se do ta shënojmë fitoren e tretë në këtë rang  të garave. Motivimi është i madh tek ne pas fitores në Pejë kundër Levski-t dhe i kemi gjasat shumë të mëdha që të sigurojmë pozitat që na kualifikojnë më tutje. Grupi B, është një grup interesant, sepse katër skuadrat e para jemi të përafërta me pikë dhe gabimi i secilës mund të jetë i kushtueshëm. Peja është e gatshme për këtë takim dhe besojmë se do të kthehemi me fitore, e cila do të jetë shumë e rëndësishme për ne për duelet e ardhshme”.