Pejës i takoi kryendeshja e xhiros së XI

  • Pejës i takoi kryendeshja e xhiros së XI
7 Dhjetor 2015

Kryendeshja e xhiros së XI në Superligën e Kosovës në basketboll ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës e luajtur të shtunën mbrëma në palestrën e sporteve “Karagaçi” ka përfunduar në dobi të nikoqirëve me rezultat 73:71 (19:25, 23:22, 11:14, 20:10). 

Prej fillimit e deri në fund të takimit në parket ka mbizotëruar rivaliteti ndërmjet këtyre dy skuadrave dhe vetëm në sekondat e fundit është përcaktuar fituesi i këtij dueli.

Verdhezinjtë në këtë mënyrë e kanë regjistruar fitoren e dytë në këtë edicion ndaj bardhekaltërve dhe kështu kanë mbetur skuadra e vetme e pamposhtur në elitën e basketbollit kosovar.

Më të dalluarit te Peja ishin Nenad Deliq me 18 pikë, Kevin Borwell me 16 dhe Drilon Hajrizi me 15 pikë. Në anën tjetër te Prishtina më efikasit ishin Mohamed Abukar me 14 pikë, Blerim Mazreku me 12 dhe Dardan Berisha e Khalid El-Amin me nga 11 pikë secili.