basketbolli

Prishtina e nis me fitore serinë gjysmëfinale të “play-off”-it

  • Prishtina e nis me fitore serinë gjysmëfinale të “play-off”-it
18 Prill 2015

Sigal Prishtina ka shënuar fitore në ndeshjen e parë gjysmëfinale të “play-off”-it kundër Golden Eagle Yllit nga Theranda të shtunën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet. Takimi ka përfunduar me shifrat 108:90 në të mirë të bardhekaltërve, të cilët e dominuan ndeshjen prej fillimit e deri në fund. Pavarësisht kësaj therandasit treguan lojë të mirë duke mos u dorëzuar për asnjë çast dhe gjatë gjithë takimit janë angazhuar maksimalisht për të bërë më të mirën për ekipin e tyre.

Më efikasit në radhët e Prishtinës ishin Dardan Berisha me 33 pikë, Blerim Mazreku me 21, Bojan Trajkovski me 18 dhe Julian Mavunga me 15 sosh. Në anën tjetër te Ylli më të dalluarit ishin Najee White me 26 pikë, Charles Hammork me 19 dhe Derrick Washington me 16 pikë. Prishtina tani udhëheq 1:0 në serinë gjysmëfinale të “play-off”-it në kuadër të ETC Superligës së Kosovës. Takimi i dytë do të zhvillohet në mesjavën e ardhshme në Therandë.

Ndërkaq çifti tjetër i gjysmëfinales së “play-off”-it është Peja dhe Kosova e Re Bashkimi nga Prizreni. Këto dy skuadra do të ballafaqohen të dielën mbrëma në “Karagaçi” me fillim nga ora 19:00. Në bazë të propozicioneve të garave për edicionin 2014/15 plasmanin në finale e siguron ekipi që i pari arrin 3 fitore. Gjysmëfinalet zhvillohen sipas formatit 1 – 2 – 2, që do të thotë ekipi më lartë i plasuar e ka epërsinë e terrenit vendës dhe luan si vendës në ndeshjen e parë dhe ndeshjet eventuale 4 dhe 5.

 

ETC Superliga e Kosovës

Gjysmëfinalet e “play-off”-it

E shtunë

Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli   108:90 (1:0)

E diel

Peja – Kosova e Re Bashkimi            19:00