Prishtina historike

  • Prishtina historike
29 Prill 2015

Atë që nuk arriti ta bëjë në edicionin debutues, kur edhe ishte organizatore e “Final Four”-it, Sigal Prishtina e bëri në edicionin e dytë, pra është stolisur me trofeun e Ligës Ballkanike (BIBL). Këtë sukses bardhekaltrit e arritën pas triumfit në dy ndeshjet finale të kësaj lige kundër ekipit bullgar, Rilski Sportist. 

Prishtina ka hyr në histori si skuadra e parë kosovare që e ka fituar një trofe në një garë rajonale. Bardhekaltrit këtë sukses e kanë arritur të mërkurën mbrëma në Samokov të Bullgarisë, pasi e kanë mposhtur ekipin nikoqir, Rilski Sportist me rezultat 80:71. Kjo ishte ndeshja e dytë finale e BIBL, derisa ajo e para është zhvilluar të martën e kaluar në kryeqytetin kosovar, ku fitore të ngushtë kanë shënuar bardhekaltrit me shifrat 74:72.

Ndeshja në Samokov ishte e baraspeshuar vetëm në 30 minutat e para, ku herë njëra e herë tjetra skuadër kalonte në epërsi, ndërsa në 10 minutëshin e fundit ishte Prishtina ajo që e mori lojën nën kontroll dhe kështu me mjaft siguri luajti në çerekun e fundit për të arritur deri te titulli aq shumë i dëshiruar, por edhe i merituar.

Më efikasit te Prishtina ishin Jordan Hulls me 22 pikë dhe Julian Mavunga me 16 sosh. Te Rilski më të dalluarit ishin Tony Gugino me 25 pikë dhe Vernon Taylor me 15. 

Duhet theksuar se në palestrën "Arena" në Samokov të Bullgarisë ka qenë i pranishëm edhe një delegacion i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) i udhëhequr nga presidenti, Erolld Belegu. “E uroj përzemërsisht Sigal Prishtinën për trofeun e fituar, të cilin e ka merituar me gjithë atë që e ka dëshmuar në parket në ndeshjet finale kundër Rilski Sportist. Ky sukses e kompleton pranimin e Kosovës në FIBA. Ky është një sukses i madh për basketbollin kosovar. Dëshiroj t’ua uroj këtë trofe të gjithë adhuruesve të basketbollit, sepse kjo është një e arritur e madhe. Ne nuk do të ndalemi me kaq, por do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë. Gjatë verës do të paraqitemi në dy Kampionate Evropiane me kategori të reja dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm të sukseseve”, është shprehur Belegu, i cili ka qenë një ndër zyrtarët që ua kanë ndarë medaljet të dyja ekipeve finaliste. Numri 1 i FBK-së menjëherë pas ndeshjes së bashku me trajnerin e Prishtinës, Marjan Ilievski kanë marr urime personale nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.  

 

Rilski Sportist - Sigal Prishtina 71:80 (26:22, 10:16, 16:19, 19:23)

Palestra “Arena” në Samakov.

Shikues: rreth 1500.

Gjyqtarë: A. Zurapovic, O. Jokic, H. Bijedic.

Rilski Sportist: Gugino 25,  Taylor 15,  Bozov 8, Rakocevic 6, Z. Georgiev 11, Milov,  Ivanov, Norfleet 2, K. Georgiev, Kirov, Iliev, Todorov 4.

Sigal Prishtina: Trajkovski 8, Berisha 12, Bavcic 12, Azemi, Hulls 22, Mazreku, Stitt,  Bajrami, Mavunga 16, Coles 10,  Mekaj, Jakupi.