Sigal Prishtina finalisti i dytë

  • Sigal Prishtina finalisti i dytë
7 Maj 2015

Sigal Prishtina është plasuar në finalen e madhe të “play-off”-it në ETC Superligën e Kosovës pasi e ka mposhtur Golden Eagle Yllin edhe në ndeshjen e tretë gjysmëfinale. Takimi i luajtur të mërkurën mbrëma në palestrën e sporteve “13 Qershori” në Therandë ka përfunduar me rezultat 84:107 (20:23, 16:31, 23:25, 25:28) në të mirë të skuadrës mysafire.

Ndeshja ishte e baraspeshuar në çerekun e parë, i cili ka përfunduar me shifrat 20:23, derisa në të dytin bardhekaltrit e treguan fytyrën e tyre të vërtetë dhe kështu këtë pjesë të lojës e përmbyllën me rezultat 31:16. Në çerekun e tretë dhe të katërt therandasit bënë rezistencë, por avantazhi që e krijuan kryeqytetasit në periudhën e dytë e bëri të vetën dhe kështu në fund ia dolën që të triumfojnë me 23 pikë dallim.

Më efikasi në radhët e Sigal Prishtinës ishte Blerim Mazreku me 29 pikë, kurse Bojan Trajkovski ka shtuar 28 pikë dhe Jordan Hulls ka kontribuar me 15 sosh. Në anën tjetër te Golden Eagle Ylli më të dalluarit ishin Arian Qallaku me 18 pikë, Egzon Kuqi me 16 dhe Najee White me 13 pikë.

Duhet theksuar se që nga çereku i dytë ekipi nga kryeqyteti ka luajtur pa lojtarin kryesor, Dardan Berishën, i cili është diskualifikuar pasi që e ka ofenduar gjyqtarin e takimit në minutën e 10-të.

Sigal Prishtina në këtë fundjavë është nikoqire e Pejës në ndeshjen e parë finale të “play-off”-it. Peja në gjysmëfinale e ka eliminuar Kosova e Re Bashkimin nga Prizreni me rezultatin në seri 3:1.