basketbolli

Sigal Prishtina para sfidës shumë të rëndësishme në FIBA Europe Cup

  • Sigal Prishtina para sfidës shumë të rëndësishme në FIBA Europe Cup
  • Sigal Prishtina para sfidës shumë të rëndësishme në FIBA Europe Cup
30 Nëntor 2015

Astana (Kazakistan), Sigal Prishtina (Kosovë) dhe AEK Larnaca (Qipro) kanë nga 2 fitore e 3 humbje në Grupin K të FIBA Europe Cup dhe që të tri këto skuadra të martën e të mërkurën do të luftojnë me mish e me shpirt për ta siguruar vendin e dytë në këtë grup, i cili do ta dërgonte njërën prej tyre në fazën e dytë të kësaj gare, atë në mesin e 32 klubeve. Energia Targu-Jiu nga Rumania është e vetmja skuadër që është e qetë nga ky grup pasi ka bilanc prej 4 fitore e 1 humbje. Për këtë arsye matematikat janë këto: Astana do të kualifikohet nëse e mposht Energia-n dhe Prishtina e mposht AEK-un. Prishtina do të kualifikohet nëse e mund AEK-un dhe Astana pëson disfatë nga Energia. Nëse triumfon AEK-u, atëherë kjo skuadër do të kualifikohet automatikisht, pavarësisht rezultatit të Astana-s.

Sigal Prishtina të martën e pret AEK Larnaca-n me fillim nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet. Kjo është ndeshja e fundit e edicionit të rregullt në Grupin K të FIBA Europe Cup për bardhekaltrit.

Marjan Ilievski, trajner i Sigal Prishtinës: "Kjo është ndeshja e fundit në grup dhe askush nuk ka pritur që pikërisht ky duel të vendos për fatin e tri skuadrave për të kaluar në fazën e dytë, me përjashtim të Energia-s që tashmë e ka siguruar fazën tjetër. Gjasat për ne që të kualifikohemi ekzistojnë dhe kjo është me rëndësi. Nuk është reale të prognozojmë rezultatin, por detyra jonë është që kundër AEK-ut të japim maksimumin dhe të marrim një rezultat sa më të mirë. Kemi probleme të mëdha, me lëndime dhe lodhje të lojtarëve. Kjo garë është shumë e fortë, kurse me sa kam unë njohuri ne jemi ekipi i vetëm që marrim pjesë në tri gara njëkohësisht. Ndeshja jonë do të zgjas dy ditë, pasi një ditë pas duelit tonë me AEK-un do të përballen Astana - Energia dhe nuk do të jemi të qetë deri pas përfundimit të kësaj ndeshje. AEK-u është një skuadër serioze me lojtarë cilësor, kurse unë duhet ta përmendi Primozh Brezec-in, që i shton ekipit cilësi dhe përvojë. Në ndeshjen e parë në Qipro, AEK-u ka dëshmuar se është efikas në gjuajtjet për tri pikë, kurse ne do të mundohemi ta ndalim Brezec-in si pikën e tyre më të fortë,  edhe pse ne jemi të hendikepuar. Unë nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodh në ndeshjen tjetër, Astana-Energia, që luhet një ditë më vonë. Do të bëjmë tifozllëk për Energia-n atë ditë. Por sidoqoftë, nëse fitojmë edhe ne edhe Astana, shpresoj të shkojmë nga pozita e tretë”.

Edmond Azemi, kapiten i Sigal Prishtinës:  "Atmosfera në klub është shumë e mirë. Besojmë në fitore, pasi nga kjo ndeshje varet çdo gjë. Gjasat janë që ne të kualifikohemi tutje dhe do të japim gjithçka për fitore. Nuk do të dorëzohemi për asnjë moment, pasi që presim që edhe Astana të humb në shtëpi nga Energia. Ftoj të gjithë tifozët në veçanti 'Plisat' që të na përkrahin në këtë ndeshje vendimtare. Besojmë se mund t'ia dalim mbanë dhe t'i kënaqim tifozët tanë me fitoren e tretë në shtëpi në FIBA Europe Cup".

Aktualisht në FIBA Europe Cup bëjnë pjesë 56 skuadra të ndara në 14 grupe, prej A deri në N. 7 grupet e para (A-G) përbëjnë Konferencën 1, ndërsa 7 të dytat (H-N) përbëjnë Konferencën 2.  Dy të parat nga çdo grup (A-N) kualifikohen që përbëjnë 28 skuadra nga 14 grupet aktuale. Por, për të plotësuar numrin e ekipeve në fazën e radhës, duhet të jenë 32 skuadra.  Kjo do të thotë që edhe 4 vendet e treta më të mira do të sigurojnë kualifikimin në fazën e radhës të FIBA Europe Cup. Konferenca 1 (A-G), jep dy ekipe si të treta më të mira, ndërsa Konferenca 2 (H-N), jep dy ekipe tjera.  Kompletimi i 32 skuadrave pastaj do të formojë fazën e radhës të FIBA Europe Cup, ku do të krijohen 8 grupe, prej Grupit O deri në Grupin V.  E nga këto 8 grupe, atëherë kualifikohen vetëm dy të parat, që formojnë 16-shen e fundit të FIBA Europe Cup, ku pastaj luhet sistemi i eliminimit deri në katërshen përfundimtare dhe me Final Four, përcaktohet triumfuesi i kësaj gare, të re në basketbollin evropian.

 

Grupi K

E martë

Sigal Prishtina - AEK Larnaca 19:00

E mërkurë

Astana - Energia     15:00

Tabela
1. Energia Targu Jiu 4/1 9
2. AEK Larnaca 2/3 7
3. Sigal Prishtina 2/3 7
4. Astana 2/3 7