basketbolli

The Basketball Embassy fillon punën në Kosovë

  • The Basketball Embassy fillon punën në Kosovë
19 Mars 2015

The Basketball Embassy, organizata amerikane partnere e FBK-së në projektin e Qendrës për Performancë të Lartë, është prezantuar zyrtarisht në një konferencë për media në zyrat e FBK-së.

Zyrtarët e kësaj organizate Tim Drolet dhe Chris Dial u shprehën shumë të entuziazmuar me faktin që do të fillojnë punën në Kosovë dhe do të ndihmojnë në funksionalizimin e reprezentacioneve të grup moshave të reja dhe reprezentacioneve përkatëse, por edhe hartimin e një plani kombëtar për kategori të reja.

“Unë kam qenë këtu në dhjetor dhe kemi bërë një përzgjedhje të fëmijëve të një gjenerate të caktuar. Tani jam shumë i gëzuar që do të fillojmë me punë që atë gjeneratë ta shndërrojmë në reprezentacion serioz garues dhe do të punojmë në një platformë të vetme për zhvillim të gjeneratave të reja në nivel të Kosovës”, deklaroi trajneri amerikan Chris Dial.

Dial, i cili është koordinator i kampit reprezentativ të Federatës Turke të Basketbollit dhe merret me aktivitete të ngjashme edhe në Rumani dhe Irlandë.

Dial do të jetë në krye të ekipit të trajnerëve të The Basketball Embassy dhe do të ketë postin e koordinatorit kombëtar për kategori të reja.

Sekretari i Përgjithshëm i FBK-së Leart Hoxha në konferencë pohoi se funksionalizimi i reprezentacioneve të grup moshave të reja është prioritet absolut duke pasur parasysh se verës pritet të garojmë në kampionate evropiane me dy grup mosha dhe projekti me Basketball Embassy do të fillojë të zbatohet që nga kjo fundjavë.

Projekti i Qendrës për Performancë të Lartë i realizuar me The Basketball Embassy është projekti më i madh dhe më serioz i FBK-së.