U mbajt seminari i radhës në kuadër të Programit për Edukim dhe Licencim të Trajnerëve

  • U mbajt seminari i radhës në kuadër të Programit për Edukim dhe Licencim të Trajnerëve
11 Shtator 2017

Në fundjavë është mbajtur seminari për trajnerë të basketbollit në kuadër të Programit për Edukim dhe Licencim të Trajnerëve.

Ky seminar ka qenë i vlefshëm për Licencën Pro A dhe B, si dhe për licencën E, ndërsa kanë ligjeruar instruktori nga FIBA, Matthias Zollner, Anton Krump dhe Albert Sylejmani.

Instruktori nga FIBA, gjermani Matthias Zollner është shprehur i kënaqur me gjithë atë që është punuar gjatë ditës së shtunë, pra në ditën kur edhe ai ka ligjeruar.

“Mendoj se Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës janë duke e bërë një punë shumë të mirë në kuadër të Programit dhe besoj se e gjithë kjo do të shkoj në favor të trajnerëve, por edhe të basketbollit kosovar në përgjithësi. Unë pata rastin të ligjeroj para trajnerëve, por në njëjtën kohë kishte momente kur duhej që trajnerët të tregonin shkathtësitë e tyre, dhe mund të them lirisht se kam parë trajnerë prej të cilëve pritet shumë në të ardhmen, por vetëm se duhet të punojnë shumë në mënyrë që në një të ardhme të afërt të fitojnë epitetin trajner të basketbollit. Për mua ishte kënaqësi të ndaja përvojën time gjatë ditës së shtunë me trajnerët e basketbollit në Kosovë”, ka deklaruar Zollner për faqen zyrtare të FBK-së.

Duhet theksuar se në këtë fundjavë, më saktësisht më 17 shtator do të mbahet seminari i fundit në kuadër të Programit për Edukim dhe Licencim të Trajnerëve.

Seminari Vjeshtor 2017 për licencimin e trajnerëve është pjesë integrale e programit edukativ dhe është obligativ për licencimin e trajnerëve të basketbollit të Kosovës. Prandaj, në pajtueshmëri me dispozitat e Rregullores për licencimin e trajnerëve të basketbollit të Kosovës, pjesëmarrja në këtë seminar është obligative për të gjithë trajnerët që do të aplikojnë për t’u pajisur me licencën profesionale të trajnerit për edicionin 2017/2018.