Veseli: Rezultatet e Pejës nuk janë të rastësishme

  • Veseli: Rezultatet e Pejës nuk janë të rastësishme
  • Veseli: Rezultatet e Pejës nuk janë të rastësishme
7 Dhjetor 2015

Pas triumfit të Pejës ndaj Sigal Prishtinës në kuadër të xhiros së XI në Superligën e Kosovës në basketboll në “Karagaçi” me rezultat 73:71 njëri nga bartësit e lojës të skuadrës verdhezi, Alban Veseli është shprehur shumë i lumtur me këtë sukses. 8-shja pejane njëkohësisht ka thënë se shpreson që ekipi i tij do ta përmbyll vitin 2015 me vetëm 1 humbje të regjistruar në të dyja garat, në Superligë dhe në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL).

“Mendoj se jemi komponuar mjaft mirë si skuadër. Jemi e tërë struktura e lojtarëve vendor nga viti i kaluar dhe lojtarët e huaj janë duke e kryer punën e tyre me shumë përgjegjësi dhe besoj se ky rezultat nuk është i rastësishëm, sepse jemi duke punuar me përkushtim të madh. Është ende herët të flitet për fund, por gjithsesi kemi krijuar një avantazh shumë të madh që na bënë të jemi lider një kohë të gjatë, pse jo edhe të përfundojmë në pozitën e parë në Superligë, kurse sa i përket Ligës Ballkanike ndeshja e radhës është përcaktuese për pozitën e parë dhe nëse arrijmë të kthehemi nga Tivati me fitore do të jetë një sukses shumë i madh për skuadrën e Pejës që ta përfundojmë këtë stinor me vetëm një humbje në të dyja garat”.

Duhet theksuar se Peja është lidere në renditjen tabelare të elitës së basketbollit kosovar ku nga 9 ndeshje të zhvilluara ka po aq fitore të regjistruara me 18 pikë të grumbulluara.

Në anën tjetër në BIBL ka tubuar  9 pikë, ku nga 5 takime të luajtura ka shënuar 4 fitore e 1 humbje dhe zë vendin e dytë në Grupin B me pikë të barabarta me Teodo-n e Tivatit të Malit të Zi që është lidere në tabelë. Të vetmen disfatë në Ligën Ballkanike, Peja e ka pësuar nga Bashkimi në Prizren në start të edicionit të ri 2015/16.