Z Mobile Prishtina triumfoi ndaj Cherkaski Mavpy dhe e siguroi kualifikimin tutje në FIBA Europe Cup

  • Z Mobile Prishtina triumfoi ndaj Cherkaski Mavpy dhe e siguroi kualifikimin tutje në FIBA Europe Cup
8 Nëntor 2018

Z Mobile Prishtina ka triumfuar në përballje me ekipin Cherkaski Mavpy me rezultat 92:73 në kuadër të Grupit E të FIBA Europe Cup, ndeshje kjo që është zhvilluar të mërkurën mbrëma në Vilnius të Lituanisë.

A.J. Davis ishte më i mirë te Z Mobile Prishtina me 26 pikë, i cili u ndihmua nga Dardan Berisha që shënoi 16 pikë.

Te skuadra ukrainase me lojë të mirë u dalluan Brandon Young me 17 dhe Chris Chokley me 16 pikë të shënuara.

Z Mobile Prishtina pas katër xhirove të zhvilluara në Grupin E të FIBA Europe Cup ka tri fitore e një humbje, kurse ekipi ukrainas një fitore e tri humbje.

Me këtë fitore Z Mobile Prishtina e ka siguruar kualifikimin për në fazën e dytë të FIBA Europe Cup, e që është suksesi më i madh në nivel të klubeve në arenën ndërkombëtare për basketbollin kosovar.

Ndeshjen e radhës Z Mobile Prishtina do ta luaj më 13 nëntor në kryeqytetin kosovar kundër Steaua Bucuresti dhe më pas më 21 nëntor po ashtu në Prishtinë kundër liderit të grupit, Bakken Bears nga Danimarka, nga e cila skuadër bardhekaltrit e kanë të regjistruar të vetmën humbje.