Ish-basketbollistja e gjeneratës së artë, Shemsije Stublla e vizitoi FBK-në

  •  Ish-basketbollistja e gjeneratës së artë, Shemsije Stublla e vizitoi FBK-në
30 April 2015

Ish-basketbollistja e gjeneratës së artë të Universitetit të Prishtinës, Shemsije Stublla të enjten e ka vizituar Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK). Stublla në zyret e FBK-së është pritur nga sekretari i përgjithshëm, Leart Hoxha, i cili e ka njoftuar atë me zhvillimet më të reja në basketbollin kosovar. Në anën tjetër ish-lojtarja e skuadrës më të suksesshme të të gjitha kohërave në basketbollin femëror në vendin tonë e ka uruar Hoxhën për pranimin e FBK-së në FIBA dhe i ka uruar suksese basketbollit kosovar në të ardhmen.

Qëllimi i kësaj vizite ishte në fakt mundësia e organizimit të një ndeshje miqësore në mes veteraneve nga Sllovenia dhe ish-basketbollisteve të Universitetit.

Hoxha u zotua se FBK do të jetë e gatshme për të kontribuar në një organizim të tillë, mesazhi i të cilit do të jetë praktikimi i sportit, në këtë rast basketbollit nga sa më shumë femra në Kosovë.

Duhet theksuar se Shesmije Stublla ka luajtur për Universitetin e Prishtinës deri në vitin 1989 për t’u transferuar më pas në Maribor. Ajo ka qenë lojtare aktive deri në vitin 2000, ndërsa tani jeton dhe vepron në Slloveni.