Federatat me kërkesë të përbashkët për lejimin e fillimit të aktiviteteve sportive

  • Federatat me kërkesë të përbashkët për lejimin e fillimit të aktiviteteve sportive
6 Maj 2020

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku, sot së bashku me përfaqësues të federatave tjera dhe Komitetit Olimpik të Kosovës janë takuar me ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.

Përfaqësuesit e Federatave sportive kanë kërkuar leje për fillimin e aktiviteteve sportive, siç janë stërvitjet dhe ndeshjet pas lehtësimit të masave të izolimit për shkak të pandemisë COVID-19.

Kërkesa e tyre është pritur mirë edhe nga Dumoshi, e cila ka premtuar përkrahjen e MKRS-së në këtë drejtim.

“Kosova duhet të shikojë edhe vendet e rajonit se çfarë hapash kanë ndërmarrë në këtë drejtim se si do t’i fillojnë angazhimet dhe aktivitetet sportive dhe ne bashkërisht do të dalim me një kërkesë të përbashkët drejtuar institucioneve shëndetësore për lejimin dhe hapat e duhur për federatat për të aktivitetet e tyre të planifikuara për këtë vit”, u shpreh ministrja Dumoshi.

U konstatua dhe u vlerësua se më së miri është që të bëhet një kërkesë e përbashkët e jo kërkesa individuale nga federatat për lirimin e masave të izolimit për të lejuar zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe kjo të shkojë nëpërmjet MKRS-së.

Po ashtu, në takim u bisedua edhe për probleme e sfida tjera që do të ballafaqohen federatat e sportit këtë vit, por që bashkërisht MKRS-ja në bashkëpunim me KOK-un dhe federatat do të bëjnë të gjithçka që është e mundshme për t’u kthyer në normalitet.