Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) po vazhdon me aktivitetet në kuadër të kampanjës së FIBA-s “Her World, Her Rules” (HWHR).
Aktiviteti i radhës u mbajt në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Fazli Grajçevci” në Mitrovicë.
Në event kanë marrë pjesë më shumë se 150 vajza të kësaj shkolle, në një aktivitet madhor për vajzat në basketboll.
Në këtë stërvitje argëtuese vajzat kanë pasur mundësi të argëtohen, por edhe të mësojnë për rëndësinë e basketbollit.
Menaxherja e Projekteve në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), Edita Medunjanin ka folur për rëndësinë që vajzat të merren me basketboll dhe një ditë të jenë pjesë e rëndësishme e sportit tonë të zemrës.
Në këtë ngjarje të organizuar nga FBK, kanë marrë pjesë edhe basketbollistja e Kosovës, Malvina Haziri, si dhe Egzon Uka, Artina Hasani, Arta Mustafa dhe Mert Zekerija si trajnerë/trajnere.
Kjo është një iniciativë që synon të promovojë dhe fuqizojë vajzat dhe gratë në basketboll.
Qëllimi i këtij organizimi është të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e përfshirjes së vajzave dhe grave në basketboll, të promovojë barazinë gjinore në sport dhe të krijojë mundësi të reja për talentet e reja në këtë disiplinë.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është pjesë e projektit FIBA Europe Girls’ Program tash e shtatë vjet dhe është duke e implementuar me mjaft sukses këtë projekt.
“Her World, Her Rules” është një projekt unik dhe fushatë në mediat sociale, e udhëhequr nga FIBA Europe që ka për qëllim ta promovojë basketbollin e femrave dhe vajzave nëpër Evropë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që realizohen në partneritet me Federatat Nacionale.