Trepça ka mbrojtur me sukses titullin e kampionit. ‘Xehetarët’ në super finalet e “Play-off”-it triumfuan ndaj Bashkimit në serinë finale 4:2.
Finalja e fundit në Mitrovicë u zhvillua në një super atmosferë, derisa ky kampionat ishte me dramë, adrenalinë dhe emocione të pafundme.
Mitrovicasit finalen e fundit e fituan 82:67 (27:22, 18:8, 17:19, 20:18).
Sfida ka qenë mjaft interesante nga fillimi deri në fund. Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, duke fituar çerekun e parë 27:22, derisa edhe më bindës ishin në periudhën e dytë 18:8, për të shkuar në pushim me epërsi të lartë 45:30.
Pjesa e dytë ishte mjaft e luftuar, me të dy skuadrat që dëshironin fitoren, por këtij qëllimi ia arriti Trepça, që triumfoi në fund 82:67.
Trofeun e kampionit e kanë ndarë Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkohë, MVP i “Play-off”-it është shpallur Michael Myers, çmim që iu nda nga Visar Bislimi nga sponsori i Superligës, ProCredit Bank.
Bislimi pranoi edhe një çmim special nga anëtari i Bordit të FBK-së, Valon Bilalli për kontributin e madh në elitën e basketbollit.