Ish-basketbollistja, tani gjyqtare e basketbollit, Erisa Ibrahimi është vlerësuar me titullin Ambasadore për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut, si njohje për kontributin në sport – në veçanti si gjyqtare e basketbollit dhe si edukatore sportive në shkollën amerikane në Mitrovicë.
Ky çmim më është dhënë nga Tahir Shabani, ambasador i njohur ndërkombëtar për paqe dhe të drejtat e njeriut. “Jam e nderuar që përmes këtij vlerësimi përfaqësoj jo vetëm sportin tonë, por edhe vlerat e paqes dhe të drejtave të njeriut. Shpresoj që ky çmim të shërbejë si një nxitje për bashkëpunim të mëtejshëm dhe për vlerësimin e punës që bëjmë përmes sportit si mjet edukues dhe bashkues”, është shprehur Ibrahimi për faqen zyrtare të FBK-së.
“Të jem përzgjedhur Ambasadore për Paqe dhe për të Drejtat e Njeriut është një nder i veçantë dhe një angazhim i thellë”, theksoi ish-basketbollistja e grupmoshave të Kosovës.
“Si mësuese e edukatës fizike, gjyqtare e basketbollit dhe ish-basketbolliste, kam pasur mundësinë dhe vazhdojë të ndikoj në jetët e të rinjve duke përdorur sportin jo vetëm si mjet fizik, por edhe si platformë për edukim, barazi dhe bashkëjetesë. Sporti më ka formuar si njeri, më ka mësuar rregull, respekt, disiplinë dhe drejtësi – vlera që përpiqem t’i përçoj çdo ditë në punën dhe jetën time.
Ky emërim më jep një përgjegjësi edhe më të madhe për të qenë zë i qartë për të drejtat e njeriut, për paqen dhe për fuqizimin e rinisë. E shoh këtë rol si një mundësi për të kontribuar më shumë në ndërtimin e një shoqërie ku secili ndihet i barabartë, i respektuar dhe i mbështetur.
Faleminderit për besimin që më është dhënë. Do të jem gjithmonë në shërbim të vlerave që e bëjnë një komunitet të fortë dhe të drejtë”, përfundoi Erisa Ibrahimi.