Federata e Basketbollit e Kosovës zyrtarisht ka lansuar identitetin e ri “Basketbolli 3.0”.
Në këtë ngjarje shumë të rëndësishme për basketbollin e Kosovës para publikut është prezantuar koncepti dhe identiteti i ri basketbollit në Kosovë, duke reflektuar vizionin e transformimit, inovacionit dhe përfshirjes.
Në lansimin zyrtar kanë marrë pjesë përfaqësues të klubeve, institucioneve, sponsorëve, mediat dhe figurat e nderuara të sportit.
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka folur për rëndësinë e këtij projekti madhor.
“Sot në këtë rrugëtim të vazhdueshëm, Federata e Basketbollit po prezanton basketbollin 3.0, vizionin tonë të ri, iniciativën më të madhe dhe projektin me të cilin po shpresojmë që ta transformojmë lojën e basketbollit në çdo aspekt. Basketbolli 3.0 është një strategji gjithëpërfshirëse, një filozofi e re në mënyrën se si do të zhvillojmë, si do ta organizojmë dhe promovojmë basketbollin. Por çka është basketbolli në disa pika të shkurtra? Përfshinë modernizimin, sepse basketbolli duhet të ec me kohën, me teknologjinë, me dixhitalizimin dhe me standartet më të larta të organizimit sportiv. Përtej kësaj është gjithëpërfshirja, sepse duhet të sigurohemi që basketbolli të luhet nga të gjithë, nga vajzat, djemtë, të rinjtë, të rejat, nga secili komunitet. Mandej, ne duhet të punojmë në cilësi dhe profesionalizëm bashkë me të gjithë përfaqësuesit e klubeve që i kemi e dinë se sa jemi duke u munduar për vite me radhë që përmes kritereve të licencimit të sigurojmë profesionalizëm të shkuar”, është shprehur Fetahu.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, deklaroi se Basketbolli 3.0 është në harmoni të plotë me frymën e lëvizjes olimpike.
“Në frymën e lëvizjes olimpike, Basketbolli 3.0 mëshiron tri shtylla të forta përparimin, kreativitetin dhe unitetin. Qëllimet e basketbollit 3.0 janë tërësisht të harmonizuara me vizionin tonë olimpik. Rritja e pjesëmarrjes është në përputhje me idealin tonë për sportin për të gjithë, zhvillimi i talenteve të rinj dhe i vajzave është pjesë e përkushtimit tonë për barazi dhe mundësi të barabarta, përmirësimi i imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare është një mision që e ndajmë çdo dit përmes sportit dhe sportistëve tanë olimpik”, tha Krasniqi.
Fidan Shatri, Kryeshef i Agjencisë së Sportit të Kosovës deklaroi mbështetjen për projekte të tilla.
“Dy prej pesë pikave më bën përshtypje, zhvillimi i talenteve dhe prezantimi në arenën ndërkombëtare. Unë prej këtu bëj thirrje, sidomos tek anëtaret e juaj që zhvillimi i talenteve lidhet me klubet tona dhe në të njëjtën kohë të punohet shumë më shumë në prezantimin në arenën ndërkombëtare. Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport do të jetë çdoherë partner i aftë për projektet që kanë për qëllim zhvillimin e basketbollit”, theksoi Shatri.
Aulona Muhadri, përfaqësuese e Shoqatës së Basketbollistëve/Kapitene e Kombëtares së Kosovës ishte shumë e lumtur me lansimin e këtij projekti të rëndësishëm, jo vetëm për basketbollin e femrave, por edhe të Kosovës. “Kjo është një nismë e re, një energji e re. Jo vetëm si Projekt, por është një platformë, ku do të gjejnë veten lojtarët, klubet, tifozët dhe komuniteti i basketbollit. Nuk është vetëm për basketbollin e femrave, por për të gjithë, pa dallim gjinie dhe moshe. Falënderoj drejtuesit e FBK-së që punojnë pandërprerë për zhvillimin e basketbollit femëror në vendin tonë”, u shpreh basketbollistja e Bashkimit.