Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka kënaqësinë të ndajë historinë frymëzuese të Ulpiana Emrës, ish-basketbolliste e njohur dhe gazetare sportive tek partneri ynë medial Art Motion, e cila së fundmi ishte pjesë e programit prestigjioz La Liga Experience 2025 në Spanjë.
Pjesëmarrja e saj në këtë program u mundësua nga Art Motion, si pjesë e angazhimit të tyre për sjelljen e përmbajtjeve ekskluzive nga sporti ndërkombëtar.
Rrugëtimi profesional i Ulpianës, nga parketi i basketbollit, tek kontributi i saj në komunitet dhe roli i saj aktual në klubin KBF Bashkimi, e deri te gazetaria sportive është shembull i fuqishëm i mënyrës se si gratë e sportit vazhdojnë të ndikojnë në zhvillimin e sportit në forma të ndryshme. Kjo lidhet drejtpërdrejt me objektivat strategjike të FBK-së për fuqizimin e vajzave dhe grave në sport, në fushë dhe jashtë saj.
Gjatë qëndrimit në Spanjë, Ulpiana ishte mysafire e klubit Celta Vigo, ku përjetoi nga afër organizimin, historinë dhe kulturën e La Ligës. Ajo tregoi emocionet e saj për FBK-në:
“Pata nderin të jem mysafire e Celta Vigo, ku u njoha në detaje me historinë dhe mënyrën e funksionimit të klubit. Vizituam muzeun, takuam drejtuesit dhe realizova intervista me lojtarët Bryan Zaragoza dhe Andrei Radu.”
Ajo theksoi se momentet më të rëndësishme të vizitës ishin ato para dhe gjatë ndeshjes Celta Vigo vs Barcelona, me qasje në zona ekskluzive për profesionistët:
“Pamë nga afër përgatitjet para ndeshjes, vizituam dhomat e zhveshjes, terrenin e fushës dhe ndoqëm ndeshjen nga tribuna VIP. Në fund të takimit, në flash zonë, realizova intervista me Marcus Rashford dhe Robert Lewandowski, një eksperiencë e paharrueshme.”
Federata e Basketbollit të Kosovës e përgëzon Ulpianën për përfaqësimin dinjitoz dhe për kontributin e saj të vazhdueshëm në sport. Historia e saj është frymëzim për vajzat dhe gratë që duan të ndërtojnë karrierë në sport, si lojtare, si profesioniste dhe si lidere të ardhshme.