24/11/2025
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) shpall zyrtarisht hapjen e konkursit për organizimin e Superkupës së Kosovës - Femrat, një nga ngjarjet më të rëndësishme të basketbollit femëror në vend.
Turneu do të zhvillohet nga 2 deri më 6 dhjetor 2025, duke sjellë pesë ditë emocion, konkurrencë dhe sport elitar.
Në këtë edicion do të marrin pjesë gjashtë skuadra: Bashkimi, Prishtina, Peja 03, Penza, United Basketball dhe Junior 06, të cilat do të garojnë për trofeun e radhës të Superkupës.
Kush mund të aplikojë për organizim?
Të drejtë konkurrimi kanë të gjithë personat juridikë që plotësojnë kushtet e përcaktuara nga FBK dhe udhëzimet zyrtare për organizimin e Superkupës së Kosovës. Kandidatët duhet të përmbushin këto kritere:
• Të mos kenë obligime të papaguara ndaj FBK-së
• Të sigurojnë palestër dhe kushte teknike sipas rregullave të FIBA-s dhe akteve normative të FBK-së
• Të respektojnë në tërësi udhëzuesin e marketingut për palestër dhe transmetimet televizive
• Të garantojnë sigurinë, duke siguruar prezencë adekuate të policisë dhe sigurimit privat në të gjitha ndeshjet
• Të nënshkruajnë kontratë me FBK-në, ku specifikohen detajet organizative, detyrimet dhe të drejtat e palëve
Në rast se më shumë se një aplikant i plotëson të gjitha kriteret, kriteri financiar (përmbushja e obligimeve ndaj FBK-së) do të ketë përparësi.
Afati i aplikimit
Konkursi mbetet i hapur deri më 27 nëntor 2025.
Të gjithë të interesuarit që kanë kapacitetet dhe dëshirën për ta organizuar këtë ngjarje madhore janë të ftuar të dërgojnë aplikimet e tyre në adresën:
office@basketbolli.com (Kontakt: Rrezarta Kqiku – Asistente Ekzekutive)