Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka jetësuar projektin e Qendrës Nacionale të Basketbollit, që ka filluar më 18 Tetor, ku janë grumbulluar basketbollistët më të mirë nga e tërë Kosova.
Ata janë akomoduar në Prishtinë dhe po stërviten nga dy herë në ditë, ku do të zhvillojnë edhe ndeshje miqësore vendore dhe ndërkombëtare, kurse të gjitha shpenzimet e këtij mbulohen nga FBK-ja.
Kjo është hera e parë në vendin tonë që po organizohet një projekt i tillë si Qendra Nacionale e Basketbollit, ku edicionin e ardhshëm pritet të grumbullohen edhe vajzat. Projekti nga FBK-ja është 4 vjeçar dhe synon të nxjerrë talente, që do t’i shërbejnë Kombëtareve të Kosovës dhe basketbollit të Kosovës.
"Ky është një projekt madhor dhe shumë i rëndësishëm për basketbollin e Kosovës, ku do të grumbullohen lojtarët/et me potencial për të ardhmen, e më pas do të jenë pjesë e Kombëtareve të Kosovës, por në të njëjtën kohë është edhe projekt që do të ndihmojë edhe klubet direkt, prej nga vijnë këta lojtarë. FBK gjithmonë i ka kushtuar rëndësi gjeneratave të reja dhe ky është projekti i radhës, që gjeneratat e reja të zhvillohen edhe më shumë.
Për këtë arsye, projektin e ka mbështetur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), që vazhdimisht e ka ndihmuar basketbollin e Kosovës, falë projekteve serioze dhe qasjes tonë për zhvillimin e talenteve të reja.
Federata e Basketbollit të Kosovës ka aplikuar në Thirrjen Publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për OJQ-të e fushës së sportit (Pakoja e Ringjalljes Ekonomike) dhe duke marr parasysh faktin se bëhet fjalë për një projekt serioz dhe të përgatitur deri në detaje, MKRS e ka mbështetur FBK-në financiarisht në implementimin e këtij projekti.
MKRS e mbështet këtë projekt financiarisht, por e ka mbështetur, që nga ideja për themelimin e kësaj Qendre, që është e para dhe e vetmja në vendin tonë, andaj ne falënderojmë institucionet tona sportive për këtë përkrahje dhe premtojmë se qasja jonë do të vazhdoj të jetë serioze dhe profesionale në implementimin e këtyre projekteve madhore", ka thënë Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së.